Dhuna në familje

Dhuna në familje (Häusliche Gewalt) është e ndaluar. Ajo ndëshkohet penalisht. Është e rëndësishme të kërkoni ndihmë, nëse përjetoni dhunë në familje. Zyra të ndryshme japin informacione, këshillime dhe mbështetje. Këshillimet zakonisht janë konfidencial dhe falas. Në rast nevoje, një interpretues ose interpretuese mund të përkthejë.

Në rast emergjence

Këto zyra ndihmojnë në emergjencë:

Çfarë është dhuna në familje?

Dhuna në familje (Häusliche Gewalt) do të thotë dhunë në familje ose në partneritet: Mes personave të martuar apo personave që janë ose kanë qenë çift. Pavarësisht, nëse ata jetojnë bashkë. Por edhe dhuna midis prindërve dhe fëmijëve ose midis vëllezërve e motrave është gjithashtu dhunë në familje.

Ekzistojnë forma të ndryshme të dhunës në familje: Dhuna fizike, psikologjike, seksuale dhe ekonomike. Për shembull: Fyerja e vazhdueshme, ndalimi i kontaktit, izolimi, shtyrja, kontrolli, kryerja e marrëdhënieve me detyrim, marrja e parave, ndalimi i mësimit të një gjuhe, braktisja e fëmijëve. Gjithashtu, kërcënimet konsiderohen si dhunë në familje. Dhuna në familje është e ndaluar.

Të gjithë mund të preken nga dhuna në familje: të rinj e të moshuar, persona me dhe pa pasaportë zvicerane, familje të pasura dhe të varfra. Është e rëndësishme që këta të prekur të kërkojnë ndihmë.

Ndihmë për njerëzit e dhunshëm

Në programin e mësimit kundër dhunës në familje pjesëmarrësit mësojnë, se si të zgjedhin konflikte pa dhunë. Oferta i drejtohet të rriturve. Oferta është falas.

Kush ka nevojë të flasë menjëherë me dikë, mund të kontaktojë "Dorën e zgjatur" (Dargebotene Hand)(telefon, mesazh me tekst, chat, e-mail). Atje ndodhet dikush në çdo kohë. Edhe gjatë natës. Ju gjithashtu mund të na kontaktoni pa dhënë emrin tuaj (në mënyrë anonime).

Fëmijët

Fëmijët, që përjetojnë dhunë në shtëpi, kanë nevojë për ndihmë. Kur fëmijët përjetojnë në shtëpi dhunë familjare, kjo ndikon negativisht në zhvillimin e tyre. Edhe atëherë, kur dhuna nuk ushtrohet drejtpërdrejt te fëmijët. Është e rëndësishme, që fëmijët të cilët përjetojnë dhunë në shtëpi, të flasin për këtë me dikë jashtë familjes. Për shembull: Mësuesit, punonjësit socialë të shkollës, prindërit e miqve ose fqinjët.

Disa fëmijë e vuajnë në heshtje, të tjerët shfaqin simptoma. Për shembull: Vështirësi në shkollë, urinim në shtrat, dhimbje koke, çrregullime të të ngrënit ose gjumit, probleme në marrëdhëniet me fëmijët e tjerë ose të qenit agresiv.

Organizata Ndihma për viktimat (Opferhilfe) këshillon fëmijët, kur ata përjetojnë dhunë në familje. Fëmijët dhe adoleshentët mund të marrin Pro Juventute ditë e natë në telefon (tel. 147). Specialisti nuk i tregon askujt për bisedën. Ai të dëgjon dhe të mbështet në gjetjen e zgjidhjeve. Telefonata në Pro Juventute është falas. Nuk është e nevojshme të tregosh emrin.

Dhuna e seksualizuar

Sulmet seksuale ndodhin edhe në një partneritet dhe në familje. Dhuna e seksualizuar është një formë e dhunës në familje. Dhuna mund të denoncohet në polici. Nëse nuk dëshironi ta raportoni atë në polici: Është e rëndësishme të kryeni një ekzaminim mjekësor pas sulmit.

Spitali kantonal Baselland (Kantonsspital Baselland) kryen trajtime në mënyrë konfidenciale:

  • Mjekja ose mjeku nuk informon asnjë tjetër.
  • Dhuna dokumentohet.
  • Dokumentet mund t’i jepen më vonë policisë. Ato janë dëshmi të rëndësishme.
  • Mjeku ose mjekja mund mundësojë lidhjen me organizatën Ndihma për viktimat.

Mes dhunës dhe ekzaminimit mjekësor:

  • Mos bëni dush dhe mos lahuni - madje as duart tuaja.
  • Nëse është e mundur, mos shkoni as në tualet.
  • Mos i lani rrobat, sillini me vete për ekzaminim.

Kallëzimi në polici:
Disa shkelje ligjore në fushën e dhunës në familje ndiqen automatikisht nga policia. Prandaj është e rëndësishme që ju të shkoni për këshillim te organizata Ndihma për viktimat (Opferhilfe), para se të parashtroni një kallëzim penal te policia. Kështu mund të merrni vendimet tuaja me urtësi duke pasur dijeni për të gjitha mundësitë. Policia ka eksperiencë me kallëzime për dhunë të seksualizuar. Marrjet në pyetje kryhen nga një person i së njëjtës gjini. Kallëzimi mund të parashtrohet në komisariat. Mund të merrni me vete një person, të cilit i besoni, ose një specialist nga organizata Ndihma për viktimat.

E drejta e qëndrimit

Nëse një person qëndron në Zvicër bazuar në një martesë dhe nëse ky person përjeton dhunë në familje, ai mund të qëndrojë në Zvicër edhe pas divorcit, në varësi të situatës. Çdo situatë është ndryshe. Për këtë arsye është e rëndësishme të merrni këshilla. Organizata Ndihma për viktimat (Opferhilfe) mund të mbështesë. Këshillimi është falas dhe konfidencial.

Është e rëndësishme, që të keni prova të dhunës. Për shembull: Fotografitë e lëndimeve, fotografitë e kërcënimeve ose abuzimeve në WhatsApp, Facebook etj. Provat duhet të ruhen në një vend të sigurt. Për shembull te një mik ose në punë. Është mirë nëse disa njerëz nga ambienti përreth janë në dijeni për dhunën.

Çfarë është përndjekja (Stalking)?

Përndjekje do të thotë vëzhgimi, kontaktimi, ndjekja dhe ngacmimi në mënyrë të tepruar kundër vullnetit të personit të përndjekur. Për shembull: Dërgimi i një numri të madh mesazhesh SMS, e-mail-esh dhe mesazhesh të tjera, pritja e fshehur në vendin e punës ose në shtëpi, ngacmimi frikësues nëpërmjet telefonit, dhurata të padëshiruara, kërkim informacionesh tek të njohshmit e personit. Autorët janë shpesh persona nga ambienti përreth (ish-partnerët ose ish-partneret), por edhe persona të panjohur.

Është e rëndësishme që përndjekja të mund të dokumentohet. Mbani për shembull një ditar të veprimeve individuale të përndjekjes (p.sh. dhurata, shënime, telefonata), informoni të tjerët dhe bëni screenshote / fotografi të mesazheve (WhatsApp, Facebook, etj.).

Çfarë është martesa me detyrim?

Nëse një person martohet nën presionin e familjes dhe kundër dëshirës së tij, kjo quhet martesë me detyrim (Zwangsheirat). Martesa mund të shpallet e pavlefshme. Njerëzit gjithashtu janë të lirë të zgjedhin, nëse duan të vazhdojnë martesën apo dëshirojnë të ndahen. Nëse ata e vazhdojnë martesën kundër dëshirës së tyre, kjo quhet martesë me detyrim. Shembuj të detyrimit janë: Kërcënimet, shantazhet, presionet psikologjike apo dhuna fizike.

Lidhje martese me detyrim dhe martesa të detyruara janë të ndaluara në Zvicër.

Çfarë është rrethprerja e organit gjenital të femrës?

Në rrethprerjen e organit gjenital të femrës (Mädchenbeschneidung FGM/FGC), organet gjenitale të femrës rrethpriten. Ka forma dhe praktika të ndryshme. Shumë vajza dhe gra të rrethprera vuajnë fizikisht dhe shpirtërisht nga pasojat e rrethprerjes së organit gjenital. Rrethprerja e organit gjenital të femrës është e ndaluar. Prindërit gjithashtu shkelin ligjin dhe mund të dënohen, nëse organizojnë rrethprerjen e organit gjenital të fëmijës së tyre jashtë Zvicrës.